
Partia Demokratike ka vijuar denoncimet në lidhje me përdorimin e helikopterit ushtarak nga ministrja e mbrojtjes Olta Xhaçka për fushatë elektorale në Dibër. Për të disatën ditë me radhë PD akuzon ministren se ka shpërdoruar detyrën dhe për këtë duhet të ndiqet penalisht dhe të dorëhiqet.
“Olta Xhaçka, Ministrja e Mbrojtjes, është rasti tipik i abuzimit. Ajo ka përdorur helikopterin ushtarak operacional, si taksi për të shkuar për mbledhje partie në Dibër, në qarkun ku e ka deleguar Edi Rama si drejtuese politike. Olta Xhaçka ka shpërdoruar detyrën dhe fondet publike, prandaj ajo duhet të ndiqet penalisht. Një kryeministër normal, do të duhej ta kishte shkarkuar menjëherë nga detyra”.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Gent Strazimiri tha se Xhaçka ka një vit e gjysmë që shpërdoron me miliona lekë për ta përdorur helikopterin si taksi elektorale, për të bërë mbledhje me personazhet kriminalë të dosjes 184, në kulmin e pandemisë, kur do të duhej të përdorej për operacione shpëtimi, për emergjenca apo misione stërvitore.
“Ne kemi provuar me fakte, me data, me pamje filmike, se sa herë Xhaçka ka shkuar në Dibër për mbledhje partie ne 2 muajt e fundit, në kulmin e pandemisë, ajo ka përdorur si taksi helikopterin ushtarak operacional. Është fatkeqësi për këtë vend, që një mjet i tillë modern, me 27 vende në bord, që do të duhej të përdorej për operacione shpëtimi, për emergjenca apo misione stërvitore, të keqpërdoret nga një shoqe partie për të bërë mbledhje me personazhet kriminalë të dosjes 184! 10 ditë pas denoncimit të shpërdorimit të detyrës, Olta Xhaçka nuk ka gjetur ende kurajon të flasë!”.
Sipas Strazimirit qytetarët meritojnë një qeveri funksionale që punon për interesin e tyre, për hapjen e vendeve të punës dhe që kujdeset për jetën dhe shëndetin e qytetarëve
“Mjaft më me vjedhje, mashtrime, tallje! Është koha për ndryshim!”- përfundoi ai. (A2 Televizion)