Policia e Sarandës, në kuadër të operacionit të koduar “Deceiver” ka vënë në pranga një 49-vjeçar, i cili prezantohej në mënyrë të rreme si prokuror, për të përfituar shërbime, favore dhe dokumente zyrtare.
“I arrestuari, shtetasi A. M., banues në Tiranë, ishte në kërkim pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata për veprën penale të mashtrimit, duke u paraqitur si funksionar publik për të përfituar në mënyrë të paligjshme”, informon policia.
Gjatë hetimeve është zbuluar se ai kishte mashtruar disa qytetarë duke i punësuar në shërbim të tij dhe duke u premtuar se do të paguheshin nga Prokuroria. 49-vjeçari u ka shkaktuar atyre dëm ekonomik të konsiderueshëm dhe po ashtu kishte kërkuar favore në institucione dhe biznese të ndryshme në qytetin bregdetar.
Edhe në momentin e ndalimit, 49-vjeçari iu prezantua oficerëve të policisë si prokuror.
Gjatë operacionit, policia ka arrestuar edhe shtetasin E. Ç., 19 vjeç, banues në Sarandë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pasi në banesën e tij strehohej 49-vjeçari mashtrues.
Nga kontrolli në këtë banesë, u gjetën dhe u sekuestruan 1 armë zjarri automatike tip “Shars”, municion luftarak, dokumente zyrtare të dyshuara si të falsifikuara, radio të ngjashme me ato që përdor policia si dhe njëkompjuter që dyshohet se është përdorur për veprimtarinë kriminale
Policia e Sarandës sakaq vijon hetimet për të dokumentuar plotësisht aktivitetin kriminal dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë. (A2 Televizion)